Saturday, January 12, 2013

Laura Vorpsi: Topalli, e preferuara ime. Argita Berisha, fisnike


Laura Vorpsi, është vajza që trazon prej thuajse dy javësh shpirtrat e të gjithë shqiptarëve, burra e gra, vajza e djem, sa herë që del në foltoren e Partisë Demokratike për të bërë publike deklaratën politike të radhës, duke përshfaqur bashkë me të edhe hiret e saj prej miss-i. Megjithëse jo me një kurorë bukurie, Laura Vorpsi ka qenë dhe është sot një ndër vajzat më të bukura të Tiranës. Dhe më besoni, ajo nuk është vetëm kaq! Sepse përveç bukurisë fizike, Laura ka edhe një mendje e shpirt të bukur. Nuk është thjesht ‘kukulla’ që di të lexojë bukur. Ajo është shumë më shumë se kaq. E diplomuar në Fakultetin Juridik të Tiranës, Vorpsi është prej dy vitesh edhe pedagoge. Trashëgimtarja e familjes së njohur tiranase, vjen për herë të parë në një intervistë të gjatë, duke ndarë me ne detaje të pazbuluara nga jeta e saj. Për të mos u zgjatur shumë, intervista e mëposhtme ju sjell një panoramë të qartë të zëdhënëses së re të PD-së, përmes së cilës do të hidhet poshtë edhe mendësia që vajzat e bukura janë thjesht të bukura… Ah, edhe diçka: Të gjithë ata që janë ‘shqetësuar’ se nuk e kanë parë Laurën në ekran këto ditë, ajo kthehet në fundjavë, pasi arsye të forta personale e kanë detyruar të largohet nga Shqipëria.
Ju rridhni nga një familje e pasur në Tiranë. Na tregoni diçka më shumë për origjinën tuaj?
Vij nga një familje e madhe autoktone tiranase. Gjyshi im nga babai ka studiuar në Stokholm dhe ka qenë zotërues i shtatë gjuhëve të huaja. Ka qenë një tregtar shumë i zoti dhe ky fakt ka ndikuar që familja ime të vuajë më pas persekutimin për agjitacion dhe propagandë.
Dikur keni qenë (dhe jeni) një ndër vajzat më të bukura të Tiranës, keni realizuar foto, keni bërë modelen… Jeni penduar sot për këtë?
Dua të saktësoj që nuk kam qenë kurrë modele. Fotot që qarkullojnë në internet janë realizuar para 6 vitesh, nga një mik shumë i mirë i imi, aktualisht edhe fotograf i njohur në këtë fushë. Fotografia është një ndër pasionet e mia.
Çfarë ndjesish patët kur patë fotot provokuese të publikuara në internet?
Nuk më ka ardhur mirë, për faktin që janë vjedhur, dhe habitem si janë ruajtur në një periudhë relativisht të gjatë, gjashtë vite. Vlerësoj dhe dëshiroj shumë të vlerësohem për përgatitjen dhe edukimin tim dhe jo për pamjen time fizike, pasi mendoj që njeriun nuk e bën asnjëherë pamja e jashtme.
Cila është lidhja juaj me Partinë Demokratike?
Që në ditën e parë të krijimit të Partisë Demokratike, unë dhe prindërit e mi jemi bërë pjesë dhe ndjekës të saj. Devotshmëria dhe përkushtimi ndaj Partisë Demokratike kanë qenë gjithmonë të brendshme në mua. Angazhimi i ri, është i pari që kam marrë përsipër dhe besoj që me vullnetin dhe dëshirën më të madhe do ta realizoj më së miri.
Cila është figura që ju pëlqen më shumë në PD? Më jepni dhe një arsye…Kam disa pëlqime, por znj.Jozefina Topalli qëndron në krye të kësaj liste. Të qenit femër e hijshme është shpeshherë shumë e vështirë në realitetin shqiptar. Mendoj që znj.Topalli ka arritur më së miri të jetë një figurë politike shumë e nderuar; së pari për shkak të përgatitjes së saj, por edhe të pamjes dhe stilit aq fisnik që mbart.
A është politika, ambicia juaj për të ardhmen? Ku e shihni veten pas 10 vitesh?
Është ende herët të shprehem për këtë, por gjithsesi jeta është e gjatë dhe besoj plot rastësi, që mund të sjellin ndryshime tek mua. Mësimdhënia është pasioni im më i madh, ndaj për momentin, veten pas 10 vitesh e shoh sërish në auditorët e Fakultetit.
Zëdhënësve u duhet të lexojnë deklarata sulmi për partinë rivale, por ndodh që edhe ato vetë të bien pre e sulmeve…
Si jeni ndjerë kur në javën e dytë të punës, PS-ja publikoi në ‘Facebook’ një aferë, ku sipas tyre është përfshirë edhe babai juaj?Nuk ndihem e sulmuar, kur këto sulme janë trillime të njerëzve të caktuar që nuk dinë asgjë rreth meje dhe familjes sime. Nuk e kam lexuar personalisht, por më kanë informuar miqtë e mi të afërt. Im atë rrjedh nga një familje shumë e madhe tiranase dhe është trashëgimtar nga babai dhe nëna e tij (bijë e një familjeje shumë të nderuar dhe të kamur tiranase) i një sërë pasurish të paluajtshme. Këto prona dhe të mirat materiale që familja e tim eti ka disponuar në kohën e regjimit komunist, bënë që familja të persekutohej; ashtu si gjyshi, edhe babai im. Trillimet ? në të cilat thuhet që im atë është përfshirë në vjedhje dhe cenim të pasurisë ? hidhen shumë shpejt poshtë dhe janë lehtësisht të verifikueshme me anë të një vendimi gjyqësor, ku shënohet dhe arsyeja “agjitacion e propagandë dhe konfiskim”, ashtu siç shkruhet edhe në vendimin e gjyqit që i është bërë babait të tij.
Laura, na tregoni diçka më shumë edhe për punën tuaj si pedagoge, për marrëdhënien me studentët?
Mësimdhënien e kam pasionin tim më të madh. Studentët përpiqem t’i trajtoj ashtu sikur t’i njihja prej vitesh dhe jo vetëm për një semestër. Afrimiteti dhe të qenit e gatshme ndaj kërkesave të tyre lidhur me lëndën, besoj se më bëjnë një “zyshë” të dëshirueshme. Edhe pse mendoj që këtë duhet ta shprehin ata më mirë se kushdo tjetër.
Si reaguan ata të nesërmen e konferencës së parë për shtyp?
Brezi i ri i studentëve është shumë i edukuar dhe absolutisht shumë i përgatitur. Ka pasur një diferencë kohe të shkurtër që nga konferenca ime e parë ? që ishte disa ditë para mbrëmjes së ndërrimit të viteve ? deri në ditën e fillimit të mësimit në auditorët e universiteteve, por në urimet që kam shkëmbyer me ta për fillimin e një viti të mbarë profesional dhe personal, kam marrë edhe urime për detyrën e re.
Jeni kolege në fakultet edhe me vajzën e kryeministrit, që është njëherësh edhe kryetari i partisë suaj. Ç’marrëdhënie keni me të dhe çfarë ju tha Argita Berisha kur filluat punën në PD?
Po, pranë Departamentit të së drejtës civile. Kam marrëdhënie profesionale shumë të mira dhe një respekt shumë të veçantë, pasi mendoj që Prof.Argita Berisha është një pedagoge e rrallë në përgatitjen dhe fisnikërinë që mbart. Urime kam pasur nga të gjithë kolegët e Fakultetit të Drejtësisë.
Jeta private e Laurës, e dashuruar apo singëll? Cili është statusi juaj?Jam prej disa kohësh e fejuar dhe shumë e lumtur me marrëdhënien time.
Kush është fatlumi?
Djali që kam në krah është një njeri shumë i veçantë, që më kupton dhe më mbështet në çdo nismë. Kjo është absolutisht reciproke tek ne.
Sa kujdeseni për pamjen e jashtme, sa kohë i kushtoni?
Mundohem të kujdesem për pamjen time aq sa e mendoj të nevojshme. Parapëlqej të mos ndryshoj shpesh në stil dhe të jem gjithmonë brenda karakterit tim.
Ka ndryshuar gardëroba juaj tani?Nuk mund të them që ka ndryshuar, sepse puna si pedagoge më imponon të njëjtin kod veshjeje, si dhe puna në Partinë Demokratike.
Po dita juaj si ka ndryshuar?Ritmi i ditës sime tashmë kërkon më shumë energji se më parë. Një ditë e zakonshme fillon në Fakultetin e Drejtësisë me mësimdhënien, që është pjesë e pandarë e përditshmërisë sime, dhe vazhdon së fundmi me përgatitjet për konferencën që më pret.
Si ia dilni ta menaxhoni kohën?
Nga dëshira dhe përkushtimi në punën e re, arrij të organizohem brenda një kohe të shkurtër për takimin me mediat.

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

 
Design by Free WordPress Themes | Bloggerized by Lasantha - Premium Blogger Themes | Affiliate Network Reviews