Saturday, January 12, 2013

Fier, masakrimi i Asinja Krythës, vrasës djemtë e të dashurit


FIER- Pasioni ka çuar drejt vdekjes 49-vjeçaren Asinja Krytha nga Fieri, e cila një muaj më parë u masakrua me thika në afërsi të banesës së saj. Pas hetimeve intensive, policia dhe prokuroria e këtij rrethi kanë mundur të zbardhin ngjarjen e rëndë që ndodhi më 12 dhjetor të vitit të kaluar në lagjen “Kryengritja e Fierit”. Burime zyrtare nga policia lokale bëjnë me dije se paraditen e djeshme janë arrestuar dy autorët e vrasjes makabre të nënës së dy fëmijëve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Mësohet se janë prangosur 30-vjeçari Mandi Arapi dhe 17-vjeçari Saimir Xhaferaj, banues në Fier. Dy personat në fjalë u kapën gjatë operacionit të koduar “Errësira”. Efektivat blu po punojnë për vënien në pranga të 19-vjeçarit Gentian Xhaferaj. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se krimi ka marrë shkas nga një lidhje sentimentale e viktimës me babain e dy vëllezërve Xhaferaj.
HETIMI
Vetëm pak ditë pas vrasjes, hetues të çështjes deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se dyshohej për një krim pasioni. Kjo, nisur nga mënyra e vrasjes së 49-vjeçares. Sipas ekspertëve, Asinja Krytha ishte goditur 12 herë me një thikë të madhe si shpatë, ku 9 prej tyre ishin çpime (për ta trembur), ndërsa 3 goditje i kanë shpuar tej për tej kraharorin, duke i shkaktuar vdekjen. Pista e hetimit në lidhje me një vrasje të mundshme nga ish-bashkëshorti (nëna e dy fëmijëve ishte e divorcuar) ra. Gjithashtu, u rrëzua dhe pista në lidhje me një grabitje të mundshme të viktimës nga ana e ekzekutorëve, apo ajo e ndonjë hakmarrjeje të mundshme për të vëllanë e saj të dënuar për trafik prostitucioni. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor sqarojnë se autorët e krimit u zbuluan nga thirrja e fundit telefonike (me numër anonim) që i është bërë natën e vrasjes 49-vjeçares. Pas identifikimit të personit që kishte bërë thirrjen telefonike, blutë e kanë mbajtur në përgjim. Kjo ka çuar në zbardhjen e mekanizmit të vrasjes dhe të tre autorëve të krimit. Ekspertët e çështjes sqarojnë se Asinja Krytha dyshohet të jetë vrarë për shkak të një lidhjeje sentimentale me babain (merret me biznes) e Saimir e Gentian Xhaferajt. Pohohet se djemtë i kishin kërkuar 49-vjeçares që të hiqte dorë nga kjo lidhje dhe të mos u shkatërronte familjen.
ARRESTIMI
Pas zbardhjes së ngjarjes, policia dje u hodh në aksion për kapjen e vrasësve. Burimet e mësipërme shprehen se u arrestuan në një lokal duke pirë kafe, dy nga autorët e krimit. Bëhet fjalë për 30-vjeçarin Mandi Arapi, i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Grabitje”, si dhe për 17-vjeçarin Saimir Xhaferaj. Ndërkaq, policia po punon për kapjen e Gentian Xhaferajt.

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

 
Design by Free WordPress Themes | Bloggerized by Lasantha - Premium Blogger Themes | Affiliate Network Reviews