Një këngë hip-hop për të ngritur në këmbë club-et. Ky është projekti më i ri i Zaimina Vasjarit, i cili do të shohë dritën e publikimit në mes të muajit shkurt. Po deri në shkurt ka kohë, ndaj këngëtarja atraktive, vjen sot në “Bluetooth” me një set shumë provokues për fotografin Juxhin Kurti. Joshëse në poza dhe linja! Kjo është Zaimina Vasjari, e cila siç e shihni edhe në foto ka bërë një ndryshim drastik në look. Flokët e zinj i kemi parë edhe më herët dhe të gjithë jemi dakord që kjo ngjyrë i shkon shumë portretit të Zaiminës... Ama të prera kaq shkurt, madje në një pjesë edhe të rruara fare, nuk ia kishim parë kurrë flokët ish-miss-it. Biseda që sjellim më poshtë, nuk është ajo që të gjithë prisni. Zaimina sërish nuk na ka treguar për të dashurin. Këtë pjesë dëshiron ta ruajë vetëm për vete, madje të kyçur mirë në sirtarët më të thellë të zemrës së saj. Por, megjithatë ajo na ka rrëfyer për një tjetër dashuri, pa të cilën thotë se nuk do t’ia dilte dot mbanë. Motra, Beliola, heroina e saj, është personi të cilit Zaimina i detyrohet për gjithçka. “Po të mos ishte Beliola, ndoshta nuk do të isha fare këtu sot. Ajo është njeriu të cilit i detyrohem për të gjitha sa kam arritur. Personi që më ka ndjekur kudo dhe ka udhëhequr në një farë mënyre karrierën time artistike”, - thotë Zaimina, ndërsa vazhdon të pozojë si një profesioniste përpara aparatit. Më tej bukuroshja me linjat e skalitura, na tregon për shkollën dhe kohën që i kushton asaj. “Pjesën më të madhe të ditës ia kushtoj shkollës, sepse edhe pasdite më duhet të punoj për detyrat e kursit. Gjithë jetën kam dashur të bëhem arkitekte dhe tani që jam fare pranë realizimit të kësaj ëndrre, nuk dua të rrezikoj”, - thotë më tej ajo. Dhe në fakt, gjatë gjithë kohës që ne shkrepnim fotot për këtë speciale, Zaimina na kërkonte të shpejtonim sepse kishte një detyrë të rëndësishme për të përfunduar. Duket sikur shkolla është ajo që e ka larguar edhe nga jeta e natës, por Zaimina na thotë se edhe vetë nuk e ‘dashuron’ më me të njëjtin intensitet këtë lloj jete. “Tani preferoj më tepër ambientet e qeta. Rrallë më qëllon të dua të dal nëpër club-e. Megjithatë, ftesave të Beliolës dhe të shoqërisë nuk u rezistoj dot gjithmonë, kështu që ndonjëherë e prish qetësinë (qesh). Për më tepër që më duhet që edhe të këndoj gjatë fundjavave”, - thotë Zaimina, si për t’i vënë vulën bisedës së shkurtër që ezauruam bashkë. Tani, ndërsa Zaimina bëhet gati për klipin dhe këngën e re, ju ftojmë të shijoni këto foto fantastike të bëra enkas për ne... |