Friday, January 25, 2013

Elvis Pupa, ja personazhet VIP që ironizon në show-n e tij


Batutat më pikante. Çani-Çuli, Çili-Çuli, Çili-Çani: nuk kishte faj Kryeministri që propozoi gjuhën kineze si gjuhë të dytë për shqiptarët.
Provokativ deri në detaje në një lojë teatrale ku i ftonte të gjithë të gjenin veten. Gjithmonë nëse je shqiptar, dhe po pret të festosh 200-vjetorin e Pavarësisë, ashtu si aktori i njohur, Elvis Pupa, tha me humor se do e festonte pas 1 shekulli për vete, pasi ndodhej në Amerikë në nëntor. Gjithsesi, këtë shfaqje ia dedikonte lirisë në këtë vend, që e quan “100 vjet, shteti më i lumtur… në Shqipëri”.
Nganjëherë shfaqej si një burrë kundër grave, pastaj si burri kundër burrave, dhe për një tepër si një artist që një këmbë e ka në Shqipëri dhe tjetrën në Amerikë, ku po jeton tashmë. Në sallën e Universitetit të Arteve, Pupa dha të enjten shfaqjen e fundit në Tiranë, një “One man Show”, ku 100 vitet jetë sociale, politike dhe familjare ishin shkruar së bashku me Koloreto Cukallin. E nisi me një bast, që nëse ajo çfarë do dëgjonin nuk ishte e njëjtë me historitë personale të secilit nga të pranishmit në sallë, ai ishte gati t’u kthente biletat. Kemi shkëputur disa nga shprehjet e goditura të shfaqjes, për të gjithë ata që s’e kanë ndjekur.
“Për gruan time dhe të të tjerëve”
Kur gruaja ndodhet para pasqyrës së grimit, them me vete: Leoanardo Da Vinçi po të kishte pasur gjithë këto mjete, do e kishte pikturuar Mona Lizën familjarisht.
Tri orë gruaja për të lyer një pëllëmbë fytyrë, për tri orë bojaxhiu ka lyer dy dhoma e një kuzhinë.
Kur gratë dalin nuk rregullohen për burrat e tyre, por për inat të grave të tjera në sallë.
Ka dalë një zakon i ri për gratë që çdo event një fustan i ri, na e keni bërë fustanin si prezervativ, një përdorimësh.
Mos harxhoni para kot, se sido që të të jetë fustani që ke veshur, kur të dilni në rrugë do t’ju thonë thjesht “ue çfarë prapanice!”
Ju goca gjatësinë e rrisni me taka, flokët ekstenshion, hundën e thyeni me çekiç, nga koka te këmbët jeni rrenë.
Edhe fëmija i sapolindur e kupton që njeriu ha njeriun në këtë botë, ose më saktë gruaja ha njeriun…
Mirë gratë e nënat të fiksuara pas telenovelave, por kur i shohin burrat si të fiksuar. Madje ata kanë lënë futbollin për to.
E di pse shkojmë ne meshkujt në klube nate? Sepse na afrohen femra stekë, që në zonën e bllokut s’do kishte shanse t’u afroheshim, na drejtohen me zërin e ëmbël dhe me fjalët: “Shpirt, a do të kërcej në prehër?” Dhe ti për herë të parë ke mundësinë për t’ia kthyer: “Jo s’du!”
Në Shqipëri ka disa femra që janë të shoqëruara me meshkuj me bark dhe qerosa, vetëm për arsyen se u japin siguri, u duken si babi ose gjyshi.
E pyeta një femër si e donte mashkullin dhe m’u përgjigj: “të gjatë, me muskuj, të mençur, romantik, të bëjë punët e shtëpisë… Ia ktheva: “Këtë lloj mashkulli nuk mund ta kesh se është gay, dhe po s’është gay nuk ta lënë çunat e tjerë të bjerë në tokë”.
Shkrova status në Fb: “Po shkoj të ha një pjeshkë, dhe u alarmua fisi i gruas, u frikësuan se do u lija vajzën”.
Femra mos vendosni statuse sikur bëni jetë të mrekullueshme, se jeta juaj ta shpif, se ndryshe nuk do shpenzonit kohë në FB.
Vajzat që 13 vjeç vendosin statuse në FB të tipit; Tani që ai nuk ndodhet pranë meje, jeta ime nuk ka më kuptim”. Pyeta veten, po kush ia ka marrë arushin gocës?!”
Vendosa të shkoj në pub për të marrë leksione për jetën
Nuk e di pse ju vajza kur bëheni të dashura apo gra nuk na lini të shkojmë në klube nate.
Këtu që 16 vjeç të rinjtë pijnë alkool, gjë që në Amerikë nuk do mundeshin dot.
Gjatë verës në jug kushtonte 3 mijë lekë veza e skuqur, ndaj iu drejtova kamerierit: “Këtë e ka bërë pula apo Jennifer Lopez?”
Statistika: T’i japësh makinës i dehur është mënyra më e sigurt për t’u kthyer në shpi
Vetëm 1 mijë veta humbin jetën duke i dhënë makinës në vit. Pra, t’i japësh makinës i dehur, është mënyra më e sigurt për të mbërritur shëndosh e mirë në shpi.
Kërkoj benzinë të mbush makinën, më sugjeron naftë. Ia kthej: meqë e paske të mirë naftën, ma mbush një pesë kilëshe se po e pi me gruan nga një teke në darkë.
I lutem Zotit në trafik: Nuk do pi më, do u jap lekë fukarenjve, do falem pesë herë në ditë.
“100 vjet pavarësi, ose 100 vjet që s’na E var askush”
100 vjet shtet, 100 vjet të pavarur apo 100 vjet që s’na e var askush
Për shumë gjëra mund të mos jemi të mirë, po kur vjen puna për të festuar jemi më të mirët.
Në një dasmë te një shoku im në Amerikë, i zoti i dasmës tha: Kush është shqiptar, ka mundësi të dalë pak jashtë se është momenti që do presim tortën!
Ne jemi besimtarë për Krishtlindje dhe Bajram, respektojmë gruan për 8 Mars dhe 361 ditë i kemi festime Halloween.
Personazhet VIP të përmendur në show
Dhe natyrisht që me rrëfimin e tij, që përfundonte me mbërritjen në Amerikë, ku dy gra fanse e bënë për një lek se si guxoi të linte atë liri të paparë në Shqipëri, dhe të jetonte në Amerikë ku do i merrej fryma nga ligjet strikte dhe shteti, Elvis Pupa bëri pak humor të ëmbël dhe me ekranet, dhe personazhe të njohur të botës së televizionit, duke i përmendur dhe me emra. “Janë një grup të ftuarish që me të njëjtat veshje lëvizin nga një ekran te tjetri, ndërsa flasin për gjithçka e gjithkënd, sa kujtova se ishte defekt i televizorit tim që m’i përsëriste fytyrat”, tha ai me ironi, ndërsa u referohej debateve televizive. Më pas, ai lëshoi batuta duke filluar nga Blendi Fevziu e deri te Sinan Hoxha.
Blendi Fevziu: Në shpi i shtrojmë darkë dhe atij, se na është bërë si rob i shpis, çdo natë në ekran.
Ardit Gjebrea: Të jep zgjidhje për gjithçka në ekran, duke të sugjeruar ilaçin e duhur.
Sinan Hoxha: Ngjaj gjë si Seldi unë, që më vendosni këngën e Sinan Hoxhës për demonstrimin e zhveshjes mbi kub?
Pirro Çako: Me këngën “Dalldisa” të Pirro Çakos, mund të zësh jo vetëm kos, por edhe djathin.
Arian Çani: Aq shpesh e fton Hervin Çulin në “Zonë e Lirë”, sa nuk e di nëse është emisioni i Çulit, që fton Çanin apo Çani që fton Çulin.
Çani-Çuli, Çili-Çuli, Çili- Çani: nuk kishte faj Kryeministri që propozoi gjuhën kineze si gjuhë të dytë për shqiptarët.
Ezel: Ia ngatërroj gjithmonë emrin, e ka Lezeti apo Zeneli…
Visi për veten
Jam 35 vjeç. Kur isha i vogël, ëndrra ime ishte të bëhesha polic.
Gruaja ime është bionde, dhe unë i thërras “Kudita”
Vendosa të jetoj në Amerikë, thjesht thashë ta provoja njëherë
Kur mbërrita në Amerikë dhe pashë borë gjithandej, mendimi i parë që më erdhi në tru, ishte të merresha me rritje pinguinësh.

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More

 
Design by Free WordPress Themes | Bloggerized by Lasantha - Premium Blogger Themes | Affiliate Network Reviews