![]() |
Ajo ka veshur një fustan të lehtë të zi, të trikotuar dhe këpucë të zeza lustrafinë. Duket jashtëzakonisht elegante. Mesa duket shtatzënia dhe lindja nuk ia kanë cenuar aspak linjat prej vajze që gjithnjë i ka pasur. E ndërkaq një tis rinor ia ka ndriçuar edhe më tiparet e portretit tipik rus. Është ora 11 e paradites dhe Inva Mula sillet në suitën e hapësirshme që ka marrë në “Sheraton” duke bërë shumë gjëra njëkohësisht. Përtyp me copa të vogla mëngjesin e lehtë dhe sytë i ka nga dera e xhamit, ndërsa celularin në vesh. Me të më parë së largu më bën shenjë dhe ngrihet të më hapë derën.
- Po Nina e vogël? - e pyes pas përshëndetjeve të para. - A është këtu?
- Nina është gjithnjë me mua, kudo që të shkoj, - më përgjigjet këngëtarja.
- A do ta shoh?
- Do ta shohësh, patjetër.
Dhe s’kalon veç pak kur një kukull e vogël e veshur e tëra me rozë futet në kthinën ku jemi ulur dhe i zgjat doçkat së ëmës. Kërkon t’i marrë celularin, stilolapsin e nuk duket aspak kapriçoze. Përkundrazi, edhe pse nuk ia jep kush të drejtën për të marrë celularin e për ta futur drejt e në gojë, Nina nuk qan. Fundja pse? Ç’rëndësi ka nëse do të luajë me celular apo me këpuckën e saj rozë? E heq menjëherë nga këmba dhe, sigurisht, e fut në gojë. Por largohet shpejt, në krahët e Lelës, sepse i ka ardhur koha për pak lëng rrushi.
Inva Mula kthehet nga unë dhe fillon të më rrëfejë gjithë jetën e saj të re, atë pjesë të padukshme për të gjithë, ngase është brenda mureve të shtëpisë… apo “mureve” të shpirtit të saj...


7:01 PM
